banner banner banner
Shkrimtari
Shkrimtari
Оценить:
Рейтинг: 0

Полная версия:

Shkrimtari

скачать книгу бесплатно


«Interesante... Çfarë janë?»

«Më lër ta shoh» tha ndërkohë Petri, duke ia marrë librin e madh shokut nga duart. «Ah po. I kam parë këto lloj ndërtimesh. Janë të ngjashme me atë aty» dhe tregoi Ziqquratin mbrapa kampit. «Por duhet të jenë ndërtuar nga një popull tjetër dhe në kohë të ndryshme.»

«Të lumtë Petri. Ke shumë të drejtë. Studiuesit tanë që nga dita e e zbulimit të tyre, kanë shtrydhur trurin për të kuptuar arsyen se pse u ndërtuan dhe pse janë vendosur në atë mënyrë.»

«Po është shumë e thjeshtë» tha Petri duke nxjerrë në pah një buzëqeshje plot gëzim. «I sheh ato yjet aty lart?» dhe tregoi një yjësi në mes të tjerave, që vendin ia kishte lënë diellit tashmë të perënduar.

«Po, sigurisht. Ne e quajmë yjësia e Orionit. E ka marrë emrin nga gjysëm perëndia greke Orioni» tha Elisa. Pastaj, ndërkohë që me gishtin tregues vizatonte profilin në ajrin e kthjellët të shkretëtirës, shtoi «Nëse yjet e saj bashkohen me një vijë virtuale, atëherë formohen koka, supet, beli dhe këmbët e një njeriu. Sipas mitologjisë greke, Orioni ishte një gjigand i lindur me aftësi mbinjerëzore, një gjuetar i fuqishëm që vriste gjahun me një vare bronxi të pathyeshme. Kur heroi grek vdiq, ai u vu midis yjeve në përjetësi.»

«Gjithmonë shumë mbresëlënëse historitë tuaja» komentoi Petri i mahnitur. «Nga ajo që na kanë mësuar të Moshuarit, të gjitha ndërtimet e këtij lloji, dhe të tilla ka shumë të shpërndara në të gjithë tokën, të gjitha pra na referohen neve.»

«Ju alienëve?»

«Ne “Zotave”, të zbritur nga qielli për të nisur racën njerëzore» saktësoi Petri.

«Dhe të dukej se edhe këtu nuk qe dora juaj» shfryu Xheku. «Duket se gjithçka që kemi bërë deri më sot është ekskluzivisht për shkakun tuaj.»

«Bah, ta mendosh mirë fare» shtoi Elisa «duhet të them se nuk mund t’i vëmë të gjitha fajet.»

«Doja vetëm të thoja» shtoi Petri me qetësi «se anijet tona janë pozicionuar thjesht si tre yjet e “mesit” të Orionit tuaj.»

«Kështu që e njëjta gjë do të vlente edhe për piramidat në Egjipt?» pyeti Xheku i habitur.

«Do thoja vërtet se po.»

«Atëherë ishin të vërteta supozimet e shkencëtarëve tanë» tha profesoresha gati nën zë. Pastaj mori mjekrën mes dy gishtave të mëdhenj të dorës dhe shtoi «Por, akoma nuk e kam kuptuar arsyen e vërtetë të kësaj vendosje.»

«E thjeshtë fare, e dashur» foli Petri. «Energjia.»

«Këtë duhet të ma sqarosh mirë» ia ktheu profesoresha ndërkohë që po drejtonte kurrizin dhe kryqëzonte krahët.

«Nuk është se edhe ne dimë shumë për këtë» nxitoi të sqaronte Petri. «Por duket se, një objekt i bërë në formë piramide është në gjendje të gjenerojë një lloj energjie pozitive të dobishme për të gjitha qeniet e gjalla që i ndodhen afër. Me sa duket, sa më i madh objekti aq më e madhe është energjia që gjeneron. Pastaj nëse është në kontakt me një trup qiellor ose më mirë, me disa prej tyre, gjithçka amplifikohet në mënyrë eksponenciale.»

«Por për çfarë lloj energjie jemi duke folur?» pyeti ndërkohë arkeologia.

«Siç po të thoja, nuk është e qartë as për ne. Shumë nga Ekspertët tanë janë duke u marrë me studimin e saj por akoma nuk kemi të dhëna të sigurta.»

«Më në fund ja edhe diçka që nuk e dini as ju» foli atëherë Xheku i kënaqur. «Është thuajse një mrekulli.»

«Janë shumë gjëra që ne nuk i dimë, miku im. Në shkallë globale, ne jemi pak më të zhvilluar se ju. Në univers gjenden kaq shumë mistere. Nuk e ke çuar aspak në mend se ne i njohim të gjitha?»

«Po të rrëfej se, për momentin, e besova vërtet.»

«Ka koncepte që nuk do të mund t’i kuptojmë dot kurrë. Duhet ta pranojmë këtë.»

«Por ne jemi qenie inteligjente, gjithë fantazi, gjithë kureshtje. Çfarë do na pengonte që të kuptonim?»

Në atë moment qe Azakisi ai që ndërhyri në diskutim duke thënë «Është vetëm problem i niveleve të perceptimit.»

«Këtë nuk e kam kuptuar tamam» u shpreh Elisa me mëdyshje.

«Për sa kohë që ti mund të mendosh që mendjet tona janë kushedi se sa të “zhvilluara”, ka disa elemente aq larg nga strukturat tona të mendimit saqë ne as arrijmë dot t’i supozojmë, të paktën me njohuritë tona aktuale.»

«Më vjen keq por nuk po të ndjek dot.»

«Marrim si shembull një qelizë të mëlçisë tënde» vazhdoi Azakisi me durim. «Imagjinoje atë nga këndvështrimi i arsyetimit mbi gjendjen e saj, mbi punën, mbi qelizat që gjenden afër saj. Kushedi sa herë do të jetë përpjekur të kuptojë se çfarë ka përtej atij realiteti ku jeton. A ka grupe të tjera qelizash? A do të jenë si mua? Ndoshta do të ketë provuar së supozuari edhe mbi praninë e një Zoti. Gjithshtu do të ketë tentuar të hyjë në kontakt me të duke ndjekur kushedi se çfarë ritesh komplekse, duke u lutur për ndërhyrjen e tij në zgjidhjen e problemeve të tyre të përditshme. Po kush është Zoti i saj? Tëmthi? Zemra? Ti? Çfarë perceptimi mund të ketë vallë një qelizë e mëlçisë sate, për ty, për Zotin e saj? Si mund të hyjë ndonjëherë në kontakt direkt me ty? Dhe nëse nuk të percepton dot ty, a do mund të më perceptojë ndonjëherë mua? Dhe detin, qiellin, diellin, galaktikën... Këtë desha të them për nivelet e ndryshme të perceptimit.»

«Dreq» u shpreh Elisa sikur sapo kishte dalë nga një gjendje hipnoze. «Nuk e kisha menduar ndonjëherë këtë... Kështu pra, ne nuk mund të arrijmë dot kurrë të hyjmë në kontakt me entitetet e niveleve të larta dhe as ta imagjinojmë se çfarë mund të gjendet jashtë përmasave ku ne jetojmë.»

«Nuk është e thënë. Duket sikur dikush, falë edhe energjisë së veçantë të çliruar nga piramidat për të cilat po flisnim më parë, mund të ishte në gjendje të kapërcente një apo më shumë nivele. Për fat të keq edhe njohuritë tona në këtë fushë kaq të veçantë, janë akoma shumë të kufizuara.»

«E mrekullueshme» pëshpëriti profesoresha krejt e mahnitur. «Pra edhe ju jeni në kërkim të Zotit tuaj.»

«Në fakt, kjo është një temë diskutimi mbi të cilën jemi duke studiuar që prej shumë kohësh.»

«Nëse edhe ju nuk ia keni dalë mbanë kësaj pune, as mos ta mendojmë që edhe ne mund të kemi shpresa.»

«Shpesh intuitat më të rëndësishme fshihen ashtu vetvetiu» konludoi Azakisi. «Racat tona janë shumë të ngjashme dhe jam i sigurt se si ne edhe ju, do mund të kemi të njëjtat mundësi për të zbuluar funksionimin e këtij mekanizmi misterioz, përmes të cilit mund të vihemi në kontakt me disa entitete më lart.»

Elisa kryqëzoi duart pas shpine dhe nisi të vinte vërdallë. U mendua për disa sekonda pastaj shtoi «Por, në fakt, nëse qeliza për të cilën folëm më parë nuk do ta bënte mirë punën e vet, për mua do të kishte probleme dhe do të isha e vetëdijshme për këtë. Fundja edhe kjo është një formë kontakti, apo nuk është kështu?»

«Ke të drejtë. Ne të gjithë gjendemi këtu për një qëllim të qartë dhe duhet të kërkojmë thjesht të bëjmë sa më mirë punën tonë. Prandaj për këtë arsye në Nibiru, qëkur vijmë në jetë, Trainuesit tanë përpiqen që të identifikojnë se cila është veçoria jonë kryesore. Secili prej nesh e ka një të tillë, ashtu siç mendoj që e keni edhe ju tokësorët. Problemi më i madh është që ta zbulojmë dhe ta ngremë në maksimum. Trainuesit, përveç se na japin të gjitha njohuritë bazë, merren fiks edhe me këtë. Janë ata që, pasi i kanë analizuar me kujdes karakteristikat tona, na orientojnë drejt grupit që i afrohet më shumë dhuntive tona personale si ai i Artistave, i Artizanëve, i Ekspertëve dhe kështu me radhë. Ne nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të japim gjithmonë maksimumin në aktivitetin ku ne shkëlqejmë dhe të përfundojmë rrugën që është menduar për ne.»

«Mirë djema» ndërhyri në atë moment koloneli. «Si thoni sikur t’i lëmë fare këto diskutime filozofike dhe t’i përkushtohemi seriozisht zgjidhjes së problemit që kemi tani?»

«Po tamam» shtoi Petri. «Në fakt, ndërkohë që ju “mendjet e mëdha” po arsyetoni mbi misteret e universit, unë bëra shkarkimin e të dhënave nga regjistruesi jot personal.»

«Po për çfarë je duke folur?» e pyeti Azakisi me mëdyshje.

«Me thënë të drejtën, nuk më kujtohej sa mua» vazhdoi Eksperti. «Por, para nisjes, mora masat për të aktivizuar një sistem të regjistrimit personal që do të memorizonte të gjitha veprimet e çdo komponenti të ekuipazhit.»

«Po, po, tani më kujtohet. Po flet për këtë gjënë që më ke vënë këtu mbrapa, apo jo?» ia ktheu komandanti, ndërkohë që duke përthyer trupin, përpiqej të tregonte një katror të vogël të zi fiksuar mbi rripin e tij të mesit në ngjyrë gri të çelët.

«Tamam ashtu, plako. Dhe ta imagjinosh se sa mirë ka funksionuar. Ia dola të zbuloj fundin që pati sistemi yt i kontrollit në largësi.»

«Ah po? Dhe ç’fund do të ketë patur vallë?»

«Nuk do ta imagjinoje dot kurrë.»

Pasadena, Kaliforni – Lajmi

«Po tani si do t’ia bëjmë me këtë xhinglën?» pyeti tipi i gjatë dhe i hollë ndërkohë që hipte nga ana e shoferit, brenda një makine Chevrolet Corvette në ngjyrë të kuqe si zjarri.

«E ke fjalën për makinën apo për pajisjen aliene?» e pyeti shoku i tij trupmadh ndërkohë që, me shumë zor, po përpiqej edhe ai të hipte brenda makinës së shpejtë sportive.

«E kisha fjalën për pultin e kontrollit, edhe pse nuk e kuptoj akoma vendimin tënd për të blerë një automjet si ky, duke parë se nuk ia del dot as të futesh brenda.»

«Më duket se edhe ti ke ndonjë vështirësi, i dashur pishtari im ndriçues.»

«Pikërisht. Nuk mundeshim dot të merrnim diçka pak më komode për ne të dy?»

«Kur ta shkelësh këmbën në pedalin e gazit të kësaj bishës, do ta kesh menjëherë të qartë përsenë» dhe pasi e mbylli me shumë forcë derën, shtoi «Ec tani, ikim.»

«Të ikim ku?»

«Të kthehemi tek baza. Dua të analizoj me qetësi të dhënat që na dha miku ynë budallai dhe të zbulojmë të gjitha sekretet e këtij aparati alien.»

«Tani mos do më thuash se di më shumë se ai. Ai m’u duk shumë i përgatitur.»

«Duhet të them se djaloshi ka bërë një punë të shkëlqyer por edhe unë kam bërë kërkimet e mia.»

«Për çfarë je duke folur?» pyeti ai i holli me mëdyshje.

«Ça mendon se kam bërë gjithë këto netë muajin e fundit, ndërkohë që ti gërrhisje si një ari në gjumë letargjik?»

«Shihje sajte pornografikë?»

«Po ku të gjeta unë ty? Kohët e fundit ia bëj shpesh pyetje vetes, e di apo jo?»

«Është fati që na bashkoi» ia ktheu ai i holli ndërkohë që shkelte deri në fund pedalin e gazit dhe shkundej akoma më shumë, dhe Corvetta fluturonte duke lënë dy vija gome të zeza mbi asfalt.

«Ej, ec ngadalë» iu vërvit trashaluqi ndërkohë që tundej mbi sediljen si pasojë e shpejtësisë së papritur. «Nuk dua aspak që ta prishësh shpejt. Kam paguar vetëm dy këstet e para.»

«Uauu» tha ai i holli. «Ecën si raketë. Është tamam bishë kjo, me vlerë të çmuar.»

«E dija që do të të pëlqente. Por tani, shiko se mos e shtrin përtokë atë plakën» i foli shoku trupmadh, duke i treguar një zonjë elegante që po kalonte ngadalë mespërmes rrugës. «Të mundohemi që ta lëmë ta gëzojë edhe ca pensionin.»

«Mos u bëj merak plako. Je në duar të sigurta» ia ktheu tipi që po ngiste makinën ndërkohë që, me manovër të fortë, desh e preku plakën për një qime.

«Dreq» thirri trashaluqi. «Gati ia hoqe rrobat nga trupi.» Pastaj u kthye mbrapa dhe duke parë zonjën e moshuar që, duke tundur çantën s’po i linte gjë pa i thënë, shtoi «Edhe disa mallkime të tjera si ato dhe do të jesh ti ai qe nuk do ta gëzosh pensionin» dhe shpërtheu duke qeshur me të madhe.

«Lëre fare. Natyrisht që nuk jam supersticioz.»

«Dhe nuk bën mirë. Po në qoftë se ishte ndonjë që praktikon voodoon? Mund ta gjeje veten të ngritur përpjetë si bulkth ndërkohë që plaka të fut një karficë te kukulla me të cilën të simbolizon.»

«A do pushosh me këto budallallëqet dhe më thuaj më mirë se si do ia bëjmë me këtë gjënë?»

«Në rregull, në rregull. Mos u nxeh. Po bëja vetëm shaka, apo jo?» Tipi trupmadh e vendosi përsëri objektin alien në pëllëmbën e dorës së majtë dhe tha «Budallai do të ketë një thes me dije por, për kërkimet e mia, mund të të siguroj që kam përdorur kanale të cilat ai me siguri nuk do të ketë pasur mundësinë për t’u futur.»

«Nganjëherë ti më tremb.»

«A do të shohësh një gjë?»

«Bah, varet ça gjëje.»

«Në disa fajla të ndryshëm që kam lexuar në lidhje me këtë tekonologji aliene, zbulova se kjo gjëja, përveçse hedh në erë anijet kozmike, mund të bëjë mjaft gjëra po aq simpatike.»

«Por a je i sigurt se me të vërtetë ka funksionuar?» foli tipi që po ngiste makinën ndërkohë që po kalonte një kthesë me gjithë shpejtësinë, duke e hedhur pasagjerin tutje tek dera.

«Ej, a do ecësh ngadalë? Vetëm policat kemi mangut që të na vihen nga pas dhe të na arrestojnë përsëri.»

«Më erdhi një ide» foli atë moment tipi i hollë. «Ndize radion.»

«Por të duket momenti i përshtatshëm për të na vënë të dëgjojmë ndonjë këngë?»

«Po jo pra, ti ore që s’je veçse një idiot. Vër lajmet.»

Tipi trupmadh, ndonëse po aq në mëdyshje, vendosi të mos bënte pyetje të tjera dhe, pasi kishte ndezur radion, nisi të ndërronte disa stacione derisa gjeti një që po transmetonte lajme nga bota.

«Pasi u futën me forcë në bankën qendrore, të katër keqbërësit me fytyra të maskuara, duke u drejtuar pistoletat dhe pushkët automatike, i kërcënuan punonjësit që të mbushnin çantat me para. E gjithë grabitja zgjati më pak se pesë minuta. Me mbërritjen e policisë, grabitësit ishin zhdukur pa lënë gjurmë. Postblloqe janë ngritur në të gjitha rrugët hyrëse në qytet.»

«Po ça na plas neve për këto gjëra?» pyeti atë moment trashaluqi gjithmonë e më në mëdyshje.

«Ki durim miku im, ki durim.»

«Dhe tani të kthehemi tek lajmi i hapjes. Duket sikur ka disa lajme të fundit interesante. Linja për të dërguarin tonë në Washington, Fred Salomon.»

«Faleminderit Lisa. Gjendem në sallën e konferencave në Shtëpinë e Bardhë ku Presidenti sapo ka mbërritur dhe do të japë një deklaratë zyrtare. Ta dëgjojmë direkt.»

Pati ca momente heshtjeje pastaj zëri i veçantë i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përhap nga altoparlantët e fuqishëm të Corvettës.

«Zonja dhe zotërinj, para së gjithash faleminderit për ndërhyrjen tuaj. Për fat të keq lajmet që sapo më kanë ardhur nuk janë aspak të mira. Me sa duket drita verbuese, që u konstatua afro një orë më parë mbi hënë, ka qenë e shkaktuar nga një shpërthim i pamasë dhe ka prekur pikërisht anijen kozmike të miqve tanë alienë. Akoma nuk e dimë nëse kanë arritur të shpëtojnë apo jo. Do të vijojmë me një deklaratë të mëvonshme sapo të kemi lajme të tjera në lidhje me këtë. Ju faleminderit.»

«Ça dreqin» thirri trashaluqi i shastisur. «Pra e paskemi hedhur në erë vërtet.»

«Dhe nuk je i kënaqur? Kur ishim tek budallai dukej sikur ishte gjëja të cilën dëshiroje më shumë në botë.»

«Bah, po... sigurisht... Por, fundja, më vjen keq paksa.»

«E pabesueshme. Nuk e kisha menduar kurrë se brenda atij trupi bullafiq gjendej edhe një zemër.»

«Tani boll më me këto budallallëqe» foli ai i shëndoshi me një pamje prej të penduari. «Jepi gaz dhe të shkojmë tek baza.»

Planeti Kerion – Zbulimi tragjik

«Kontenitori (|) sapo doli nga tuneli i ndërkomunikimit» njoftoi keriani i vockël xhuxh që merrej me kordinimin e manovrave. «Pas 0,1 cens do të arrijë pikën e ndalesës.»

«Dua që të sillet këtu menjëherë për verifikimin e përmbajtjes dhe për analizën e të dhënave të memorizuara» e urdhëroi Supervizori i RTY-së vartësin e vet.

Objekti i pazakontë në formë ovoidale, që vinte nga afro gjashtëdhjetë e pesë vite dritë larg, u përfshi nga një lloj fushe frenuese që e lidhi pas orbitës së planetit dhe e tërhoqi me shpejtësi në drejtim të një të çare të madhe të strukturës së pamasë, tërësisht metalike, që shtrihej për gati dyqind kilometra katrorë përgjatë ekuatorit të Kerionit.

«Kontenitori (|) pothuajse në pozicion» foli kordinatori.

«Nxitoni për ta sjellë sa më shpejt këtu» u shpreh RTY. «Duhet të zbulojmë medoemos se çfarë ka ndodhur sipër /\.»

Sapo karkasa arriti pikën e ndalesës, u mor menjëherë në ruajtje nga dy kerianë me pamje padyshim të pazakontë. Njëri ishte shumë i ngjashëm me një tip rimorkio pa rrota, ndërsa tjetri ishte më i krahasueshëm me një gaforre të stërmadhe me gjashtë kanxha. Ai me pamjen e gaforres e kapi enën me delikatesë dhe e vendosi në brendësi të kerianit/rimorkios që, pasi ishte siguruar për lidhjen me ganxhë, u nis pa lëshuar zë fare me një shpejtësi të jashtëzakonshme në drejtim të laboratorëve.

«Kontenitori (|) mbërriti» u shpreh kordinatori. «Ekipi i verifikimeve, kryeni analizën komplete të përmbajtjes.»